
Kariesi është një nga sëmundjet më të përhapura dhe më të shpeshta të zgavrës së gojës në mbarë botën. Higjiena e rregullt dhe e kujdesshme e gojës është një faktor i rëndësishëm për parandalimin e kariesit. Por edhe zakone dhe masa të tjera mund ta forcojnë shëndetin e gojës dhe të mos i lënë shteg kariesit. Kush u përmbahet atyre, kujdeset afatgjatë për dhëmbë të shëndetshëm.
Zakone të përditshme për parandalimin e kariesit
- Pini shumë lëngje, mundësisht pije pa sheqer. Kjo e nxit prodhimin e pështymës – dhe pështyma, siç dihet, është një rregullues natyral i acideve dhe e ndihmon smaltin e dhëmbit të rigjenerohet pas sulmeve acide nga ushqimet.
- Ushqehuni shëndetshëm dhe me pak sheqer, sepse ushqimet dhe pijet me sheqer janë shkaku kryesor i shfaqjes së baktereve të kariesit në gojë. Shmangini pra ushqimet me sheqer ose konsumojini me masë dhe mos i mbani gjatë në gojë. Fruktoza nga frutat ose lëngjet e frutave dhe mjalti janë njësoj të dëmshme në këtë drejtim.
Kujdesi për dhëmbët në shtëpi
- Të paktën dy herë në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje, lani dhëmbët me kujdes për 3 minuta nga të gjitha anët.
- Përdorni fill dentar dhe furça interdentare. Për t'i hequr si duhet edhe pllakat bakteriale midis dhëmbëve, duhet t'i përdorni këto mjete krahas furçës së dhëmbëve. Se si përdoren saktë filli dentar dhe furçat interdentare, jua shpjegojmë me kënaqësi në praktikën tonë.
- Përdorni pasta dhëmbësh me fluor dhe xhele me fluor. Fluori është një mbrojtje me efektivitet të provuar kundër kariesit. Më shumë rreth fluorit dhe kërkimit shkencor lexoni në artikullin tonë Vaksina kundër kariesit.
Profilaksia profesionale kundër kariesit
- Dy herë në vit kontroll te dentisti. Shkoni rregullisht te dentisti, sepse ai mund t'i zbulojë sëmundjet e mundshme dhe t'i trajtojë ato në kohë.
- Pastrim profesional i dhëmbëve. Për t'i mbajtur pa baktere të dëmshme edhe zonat veçanërisht të vështira për t'u arritur në gojën tuaj, duhet të bëni të paktën një herë në vit një pastrim profesional të dhëmbëve.
Ushqyerja e duhur, kujdesi i rregullt për dhëmbët me furçën e përshtatshme të dhëmbëve dhe vizitat e rregullta te dentisti janë themelet e parandalimit të kariesit. Kush u përmbahet zakoneve të përmendura dhe i zbaton këto masa, kujdeset afatgjatë dhe në mënyrë të qëndrueshme për dhëmbë të shëndetshëm dhe një buzëqeshje rrezatuese. Kështu rreziku i dhimbjeve të dhëmbëve, i trajtimeve të gjata te dentisti ose i protezave të kushtueshme reduktohet aktivisht në minimum.